Forumi Global i Pensioneve Private, Denaj: Qeveria shqiptare e angazhuar të çojë përpara reformat
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në hapjen e Forumit Global për Pensionet Private “Zhvillimi dhe mbikëqyrja e marrëveshjeve për fondet e pensioneve” që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, i organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Pensioneve, (IOPS) dhe Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Gjatë fjalës përshëndetëse, ministrja Denaj u shpreh se organizimi i këtij forumi dhe aktiviteteve të kësaj përfshirjeje, na obligon për të parë dhe analizuar çështje në kuadër të perspektivës së zhvillimit ekonomik të vendit.
“Shërbimet financiare kanë pësuar një rritje prej 9% në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe një rritje prej 13% në tremujorin e dytë, dhe këto janë shifra na bëjnë optimistë për këtë vit, pasi kjo shërben si një bazë e mirë e zhvillimit të mëtejshëm jo vetëm të produkteve financiare tradicionale, por edhe atyre të reja.
Në vendin tonë, problemet e sigurimeve shoqërore e veçanërisht të pensioneve, janë trajtuar gjerësisht nga qeveria shqiptare. Ato mbeten të rëndësishme për vetë fokusin që adresojnë, sigurimin e një pensioni për të mbrojtur moshën e tretë nga rreziku i varfërisë dhe ruajtja e një niveli të pranueshëm të konsumit me mbarimin e periudhës së punësimit.
Shpenzimet për sigurimet shoqërore që arrijnë në rreth 25% të shpenzimeve të buxhetit te shtetit dhe pjesëmarrja e rreth 50 % e popullsisë, si kontribues e përfitues të skemës së pensioneve, na detyron që të monitorojmë me kujdes këtë skemë dhe të ndërhyjmë në kohën e duhur” vlerësoi Ministrja.
Ministrja Denaj, gjithashtu theksoi se qeveria vlerëson se fondet e pensioneve vullnetare janë një mbështetje e fuqishme për sistemin e pensioneve në përgjithësi, për të rritur mbulimin, por sidomos koeficientin e zëvendësimit. Pikërisht për këtë arsye fondet janë mbështetur me incentiva financiare.
“Kuadri i plotë ligjor nuk është i përfunduar. Kërkohen akoma shumë analiza dhe studime për një vendimmarrje të rëndësishme, por jo të pamundur.
Funksionimi dhe zhvillimi i fondeve private të pensioneve është i mirëpritur për të plotësuar dhe kompletuar skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, tashmë të reformuar, duke siguruar një nivel më të lartë të ardhurash për individët.
Megjithatë hapësira për zhvillimin e mëtejshëm dhe në kohën e duhur për zbatimin e kësaj shtyllë ekziston dhe duhet të shoqërohet edhe me të gjithë procesin e rolit të shtuar të mbikëqyrjes për këtë skemë në kompleksitetin e saj”, tha Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.