“Forumi i Biznesit Maltë –Shqipëri”, Meta: Kemi potenciale në shumë sektorë, ejani investoni
Presidenti Ilir Meta mori pjesë në zhvillimin e forumit të Biznesit Maltë-Shqipëri. Meta gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum prezantoi potencialet e vendit tone për zhvillimin e biznesit në disa sektorë si në Turizëm, energji, bujqësi etj, duke ftuar investitorët të vlerësojnë mundësitë që ofron Shqipëria.
“Shqipëria mund të shërbejë si ‘qendër ekonomike rajonale’ për shtrirjen e investimeve të huaja në një treg ballkanik me më shumë se 20 milion konsumatorë, si dhe mund të jetë një ‘portë hyrëse’ rajonale drejt tregut evropian. Një sektor tjetër që po tërheq shumë investitorë të huaj është energjetika, sidomos në energjitë e rinovueshme. Shqipëria renditet e dyta në Europë për burime ujore për frymë pas Norvegjisë. Mbi 95% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga Hidrocentralet. Janë rreth 180 kontrata koncesionare për ndërtimin e më shumë se 500 Hec-ve të vogla dhe të mesme, ku një pjesë janë në operim, disa janë në fazë ndërtimi dhe disa të tjerë janë kërkim të financimit. Gjigandi norvegjez Statkraft brenda vitit tjetër përfundon një nga HEC-et më të mëdha në Shqipëri dhe në rajon, Devolli HydroPower. Pavarësisht këtyre investimeve, aktualisht vetëm 35% e potencialit të energjisë hidrike është i shfrytëzuar”.
Presidentja e Maltës Coleira Preca, vlerësoi se Malta dhe Shqipëria duhet t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shfrytëzojnë të gjitha oportunitetet e biznesit për të eksploruar tregje te reja investimesh.
Në mbyllje të Forumit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Dhomave të Tregtisë si dhe u zhvillua një seancë takimesh “BtoB” mes dhjetëra bizneseve shqiptare dhe malteze për inicimin e projekteve konkrete në fushën e investimeve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.