Forumi i Stokholmit për barazinë – Manastirliu: 5-fishimi i denoncimeve, rezultat i besimit tek institucionet
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu mori pjesë në Forumin Botëror të Barazisë Gjinore që u zhvillua në Stokholm të Suedisë ku merrnin pjesë ministra, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile nga 100 vende të Botës.
“Trajtimi i çështjeve të barazisë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore nuk janë vetëm çështje të të drejtave të njeriut por faktorë kyç që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe progresin social të vendit”, u shpreh Ministrja Manastirliu në fjalën e saj.
Ministrja u ndal te puna e bërë për përmirësimin e legjislacionit për mbrojtjen e grave, viktima të dhunës me bazë gjinore dhe rezultatet që kanë sjellë këto ndryshime, në 5-fishimin e denoncimeve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore gjatë viteve të fundit. Ministrat e Çështjeve Sociale dhe përfaqësuesit e lartë politikë pjesëmarrës në këtë Forum u angazhuan për të punuar së bashku për zgjidhje konkrete të çështjeve që lidhen me barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.