Forumi Shqipëri-Kinë – Qato: Më shumë lehtësi për investitorët e huaj
Shqipëria ka hyrë në një tjetër fazë të diplomacisë ekonomike, duke ndërmarrë një sërë reformash që shkojnë në favor të investimeve të huaja. Kështu është shprehur Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, gjatë një takimi të sipërmarrësve kinez me ata shqiptarë. Ministrja theksoi se, në këtë kuadër janë një sërë marrëveshjesh lehtësuese për investitorët duke u ndalur tek doganat.
“Nëpërmjet një sërë marrëveshjesh të nënshkruara në fushat e investimeve apo politikave fiskale, tregtia dypalëshe ka pasur zhvillim dhe është arritur një bashkëpunim për realizimin e një sërë nismash të mëdha. Marrëveshje të tjera lehtësuese janë në negocim e sipër, si për shembull sa i takon bashkëpunimit doganor, marrëveshje kjo që do ti japë një hov tregtisë midis dy palëve.”
Ndërsa, ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu theksoi se, energjia, infrastruktura dhe veshjet janë fushat me interes për të investuar, duke u shprehur se Kina synon zgjerimin e tregut edhe me Shqipërinë, duke kërkuar më shumë lehtësira për investitorët. 600 milion dollarë shkëmbime tregtarë janë kryer mes Shqipërisë dhe Kinës në 2016-ën. Ky vend zë rreth 7% të importeve të vendit tonë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.