[FOTO] “Kubi i Bllokut”, godina e re tregtare në qendër të Tiranës propozuar nga Stefano Boeri
Arkitekti italian Stefano Boeri, i cili ka hartuar edhe planin e zhvillimit të Tiranës dhe do të realizojë tre shkolla në kryeqytet, ka sjellë një tjetër projekt. “Kubi i Bllokut” do të jetë një ndërtesë shumëfunksionale, e përshtatur për zyra, dyqane dhe parkim në zonën e ish-bllokut.
Struktura e re pritet të vendoset në kryqëzimin e rrugëve Pjetër Bogdani dhe Vaso Pasha dhe në këto dy rrugë do të jenë edhe hyrjet kryesore të ndërtesës.
Godina karakterizohet nga veshja e saj e jashtme, e përbërë nga një sistem teknologjik prej modulesh alumini, të cilët në brendësi do të kenë një sipërfaqe trekëndore të salduar. Ndërsa e gjithë godina do të vishet dhe nga një lëkurë e dytë në brendësi, një fasadë të vazhdueshme prej xhami, e cila e izolon ndërtesën nga pikëpamja termike dhe akustike.
“Efekti që vjen është ai i një sipërfaqeje vibrante dhe të ndryshueshme, një rrjet trekëndëshash alumini që luajnë me dritën e diellin duke e kthyer të reflektuar me sfumatura të ndryshme ngjyrash”, shpjegon Stefano Boeri.
“Kjo veshje e veçantë, e projektuar veçanërisht për projektin tonë të parë shqiptar, është thelbësore për të përcaktuar unicitetin e ndërtesës dhe kontribuon për të nënvizuar rolin e saj si pikë e re referimi në qendër të zonës”, shton Francesca Cesa Bianchi, drejtore projekti e firmës së arkitektëve.
Kati i parë i godinës do të jetë i mbushur me dyqane, ndërsa në katin e dytë ku xhami do të jetë i pjerrët, vizitorët do të kenë mundësi të ulen të shijojnë pamjen e qytetit.
Në pesë katet e para të mësipërme, do të ndjekë forma e rregullt katrore, dhe do të mund të përdoren për zyra. Ndërsa kati i shtatë kulmon me një restorant “Roof Garden”.
Ndërtimi i godinës do të ndiqet nga selia në Tiranë e Stefano Boeri Architetti, ndërsa klienti investues është “Invest Society” shpk.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.