[FOTO] Projekt artistik në parkun e ish-Kinostudios – Instalacioni ambiental synon t’i japë jetë periferisë
Në vijim të bashkëpunimit të qëndrueshëm kulturor Shqipëri-Pulia, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Presidenti i Rajonit të Pulias Michele Emiliano, firmosën në Bari një tjetër marrëveshje kulturore dhe ekonomike për realizimin e projektit artistik “Shokë dhe engjëj” që synon ndërtimin e Parkut të Artit në kopshtin e ish-Kinostudios.
Në këtë mënyrë krijohet një pol i ri artistik në periferi e Tiranës, i cili do të vijë në formën e një instalacioni ambiental, siç është edhe “Reja” pranë Galerisë Kombëtare.
Koncept-ideja për parkun u diskua që në Gushtin e vitit të kaluar dhe bazohet mbi veprën e filozofit Antonio Gramshi. Artisti Alfredo Pirri për projektin “Shokët dhe engjëjt” është frymëzuar nga poezia “Trëndafili i Turit”.
Duke rindërtuar qelinë e burgimit ku Gramshi shkroi Fletoret e famshme, por me ndërthurjen e instalacioneve të statujave të realizmit socialist të Galerisë Kombëtare të Arteve, ky projekt sjell një provokim të debatit të nevojshëm dhe ende të munguar mbi përballjen me të kaluarën tonë komuniste.
“Ky projekt, bashkë me ofiçinën e artit që synon restaurimin e makinave të vjetra të rekuizitës së Kinostudios dhe aktivizimin e artistëve të rinj, do të përtërijë edhe pëlhurën urbane të kryeqytetit duke krijuar një qendër te re arti, shoqërizimi e debati por edhe atraksioni kulturor e turistik. Kultura nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm prodhim e konsum i “qendrave” urbane, por një motor që e kthen “periferinë” në qendër dhe emancipon kështu Qytetin”, tha Kumbaro.
Projekti do të bashkëfinancohet nga Ministria e Kulturës dhe Rajoni i Pulias.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.