[FOTO] Si do të duket Unaza e Madhe – Ja detajet e projektit me vlerë mbi 4.8 mld lekë
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurat e tenderimit për rehabilitimin e Unazës së Madhe, që përfshin segmentin rrugor ‘Mbikalimi pallati me shigjeta – rrethrrotullimi Shqiponja’ të ndarë në tre lote. Fondi limit i këtij investimi në total kap vlerën e mbi 4.8 miliardë lekëve dhe do të ndahet respektivisht:
- Loti i parë: mbi 2.2 lekë, ku 529 milionë lekë janë akorduar për vitin 2018, ndërsa pjesa e mbetur është parashikuar për vitin 2019, 2020.
- Loti i dytë: mbi 1.5 miliardë lekë, nga të cilat 376.4 milionë janë parashikuar për vitin 2018, ndërsa pjesa tjetër për dy vitet e ardhshme.
- Loti i tretë: mbi 1.1 miliardë lekë, ku 294 .8 milionë janë akorduar për këtë vit, ndërsa pjesa e mbetur është parashikuar për vitin 2019 dhe 2020.
Loti i parë 1 km, përfshin ndërhyrjen e nyjës tek sheshi Shqiponja dhe mbikalimin e rrugëve dytësore. Nga detajet e investimit, nyja është konceptuar e tillë me tre nivele dhe do të lidhë rrugën ‘Dritan Hoxha’ me rrugën ‘Tedor Keko’ dhe vazhdimet e tyre. Ndërsa, unaza në sheshin ‘Shqiponja’ do të vazhdojë pa ndërprerje me mbikalim dhe lidhet me rrethrrotullimin e sheshit Shqiponja nëpërmjet korsive anësore.
Po ashtu, janë projektuar edhe 2 mbikalime rreth 150 m larg rrethrrotullimit për të bërë kalimin e automjeteve të rrugës së shërbimit nga njëra anë e rrugës kryesore në anën tjetër. Ndërsa, nënkalimi në sheshin Shqiponja i cili lidh rrugën ‘Dritan Hoxha’ me unazën për në Durrës do të ketë një gjerësi të brendshme prej 10.3 m dhe do të ketë dy korsi.
Ndërkohë, sa i takon lotit të dytë me gjatësi 2 km grafiku i punimeve përfshin ndërhyrjen në nyjën tek ura e Lanës, e cila do të trajtohet mbi urën ekzistuese. Kjo nyje është zgjidhur me dy nënkalime për të lidhur dy zonat anash unazës si dhe dy nënkalime për këmbësorët, për të mundësuar kalimin e tyre në të dy anët e saj. Po ashtu, është projektuar njëkohësisht edhe zgjerimi dhe përforcimi i urës ekzistuese.
Loti i tretë me gjatësi 3 km do të fokusohet tek nyjet lidhëse të rrugëve sekondare me rrugën anësore dhe mbikalimin e rrugëve urbane. Përmes ndërhyrjeve do të bëhet e mundur lidhja e rrugës së Kavajës me rrugën kryesore ‘Tedor Keko’ me dy korsi për të krijuar një rrymë të pandërprerë futjeje në rrugën kryesore. Ndërkohë, është projektuar edhe një mbikalim sekondar i cili do të lidhë rrugët urbane, që do të pozicionohet rreth 80 metra larg rrethrrotullimit ekzistues.
I gjithë segmenti rrugor do të pajiset me sinjalet përkatëse vertikale e horizontale si dhe me sistemin e ndriçimit. Operatorët ekonomikë do të mund të dorëzojnë ofertat e tyre Brenda datës 12 tetor 2018, ndërsa lidhur me zbatimin e kontratës është parashikuar një periudhë kohore prej 24 muaj.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.