[FOTO] Si duket segmenti i dytë i Bulevardit të Ri
Segmenti i dytë i Bulevardit të Ri i cili do të mundësojë lidhjen me disa rrugë dytësore do të hapet shumë shpejt për qytetarët, pasi punimet në këtë segment janë drejt fundit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Jemi duke punuar në gjysmën e dytë të segmentit dhe është çështje kohe sa të prekim Bregun e Lumit, aty ku Bulevardi bashkohet me projektin e Parkut Qendror, për të krijuar ndoshta projektin më të madh inxhinierik dhe infrastrukturor për Tiranën.”
Veliaj shtoi se pjesa më e madhe e punimeve janë mbyllur dhe kjo do ta bëjë Bulevardin e Ri të aksesueshëm jo vetëm për njerëzit që sipas tij janë prioritet, por edhe për makinat.
“Për banorët e zonës që kanë shijuar segmentin e parë, e kuptojnë se filozofia e Bulevardit është kryesisht një aks për njerëzit, pastaj edhe për makinat, ama njerëzit janë prioritet.”
Ai tha se krahas zonës së re të zhvillimit, ky projekt do t’i japë kryeqytetit edhe një hapësirë të madhe të gjelbëruar, sepse sipas tij ky është edhe një nga projektet më të mëdha të gjelbërimit. Po ashtu, shtoi më tej se projekti do të përfundojë me një shesh të ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza.”
Sipas krybashkiakut Veliaj, segmenti i dytë i Bulevardit të Ri do të jetë gati deri në Ditën e verës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.