[FOTOT] Prezantohet salla e rinovuar e Arkivit – Bido shpjegon procedurën e marrjes së shërbimeve
Është prezantuar ditën e sotme salla e rinovuar e studimit të Arkivit Qendror Shtetëror. Të pranishëm në përurimin e ambienteve të rikonstruktuara të AQSH-së kanë qenë edhe kreu i këtij institucioni, Ardit Bido, kryeministri Edi Rama si dhe historianë.
Sipas Bidos, salla e studimit tashmë do të jetë e aksesueshme vetëm me një kartë elektronike, ku shërbimet do të ofrohen falas.
“Me një klik. Hyn në sallën e studimit. Ulesh dhe të bëhet një fotografi. Për 20 sekonda të printohet karta individuale elektronike. Vetëm përmes saj hyn në sallën e studimit. Hyn në kompjuter në hapësirën tënde virtuale vetëm me një klik të kartës dhe aty të del çdo dosje që ke prenotuar. Gjithçka falas! Nëse do të printosh a skanosh, me një klik të gjenerohet fatura për 5 sekonda. Pasi paguan, për 20 sekonda ke gati dokumentet e kërkuara. Nëse të duket e pamundur, eja nga pasnesër në sallën e rinovuar të arkivit, që përuruam sot me Kryeministrin, studiuesë e studentë!”
Ndërkohë, Rama u shpreh në fjalën e tij se duhet të përfundojë garantimi i të gjithë dokumenteve origjinale për të vijuar më pas me elementët e tjerë. Bido ka vijuar më tej se siç ishte premtuar në tetor të vitit të kaluar, do të vihen falas në dispozicion të studentëve të nivelit bachelor dhe master një numër i caktuar dokumentesh, ndërsa po diskutohet edhe për ata që ndjekin doktoraturën.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.