FOTOT/Rikonstruksioni – Si do të ndryshojë Sheshi i Shirokës
Ka nisur puna për Rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës, në Bashkinë Shkodër. Investimi është pjesë e projektit “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të Liqenit të Shkodrës”, financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës përfshin një sipërfaqe prej rreth 20,000 m². Ndërhyrja parashikon restaurimin e 2,000 m² fasada, ndërtimin e 1,500 m² çati të reja, ndërtimin e 1,700 m² parking publik, shtrimin e sheshit me pllaka guri mozaik, ndriçimin publik, ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimet, punime gjelbërimi dhe mobilimi urban.
I gjithë koncepti ruan identitetin historik, urban dhe natyror të zonës. Për shembull parashikohen modele tradicionale për mozaikët e sheshit qendror që do të shtrohet dhe përdorimi i materialeve dhe ngjyrave të unifikuara për restaurimin e fasadave.
Punimet do të zgjasin 10 muaj dhe parashikohet përfundojnë verën e ardhshme.
Projekti “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të Liqenit të Shkodrës” parashikon shndërrimin e zonës në një destinacion të mirëfilltë turistik, që ofron hapësira urbane dhe natyrore të dedikuara për të gjithë të apasionuarit pas natyrës, historisë apo sportit.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.