[FOTOT] Si do të duken parqet memoriale pas rikonstruksionit – Ndërhyrjet që do të kryhen
Parqet memoriale në kryeqytet do t’i nënshtrohen së shpejti rikonstruksionit. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka hapur procedurat e tenderimit për këtë investim, për të cilin është vënë në dispozicion një fond limit me vlerë 15.5 milionë lekë.
Grafiku i punimeve përfshin një sërë ndërhyrjes për ndërtesën e shërbimit të administratës, si prishjen e pjesës së soletës, ribërjen e suvatimit, zëvendësimin e shtresave hidroizoluese, pllakave të shtrimit, dyerve dhe dritareve, instalimet dhe pajisjet hidraulike si dhe zëvendësimin e kullimit të ujërave të shiut.
Nga dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, rikonstruksioni dhe rikonceptimi i objektit do të bëhet duke ruajtur origjinalitetin e tij dhe duke e rikhyer atë funksional. Operatorët ekonomike mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më datë 3 dhjetor 2018, ndërsa zbatimi i punimeve parashikon një kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Varrezat e dëshmorëve janë ndërtuar në vitin 1971 në kodrën ndërmjet Pallatit të Brigadave dhe Senatoriumit. Në këtë kompleks përfshihen monumenti ‘Nëna Shqipëri’ i vendosur në qendër, parcelat e varreve të dëshmoreve të atdheut, si dhe godina e shërbimit të administratës që menaxhon parkun memorial.
Ndërkohë, në këtë kuadër, APR ka hapur një tjetër tender për rikonstruksionin e memorialit të Holokaustit, me një fond limit prej 4.1 milionë lekë.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.