Fotot/ Si po ndryshon Vunoi, çfarë parashikon projekti prej 36.7 mln euro për turizmin
Rikonstruksioni për Vunoin po vazhdon me ritmet e duhura. Nga fotot e publikuara nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar, puna është në fazën e rikonstruksionit të çative në Vuno.
Investimet në fshatrat e Vunoit e Dhërmiut po kryhen në kuadër të projektit Punët në Komunitet IV – “Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare” që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkëfinancohet nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB), Qeveria Shqiptare, WIBF dhe njësitë vendore përkatëse. Projekti parashikon edhe ndërtimin e infrastrukturës publike në plazhet e Dhërmiut e Jalës.
Vlera në total e projektit është 36.7 milionë euro, një bashkëfinancim nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEB), Qeveria Shqiptare dhe NJQV-të përfituese, WBIF (“Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor).
Parashikohet që dy të tretat e kostos së Programit do të investohen në zonën bregdetare të Jugut dhe një e treta në zonën e Alpeve Shqiptare.
Marrëveshja midis Qeverisë Shqiptare dhe CEB për këtë projekt është firmosur në datë 21 Maj, 2015 dhe është ratifikuar nga Parlamenti në datë 2 Korrik 2015. Projekti, sipas marrëveshjes, ka filluar nga puna në tremujorin e fundit të vitit 2015 dhe parashikohet të përfundojë në shtator 2019.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.