Franca hyn në valën e katërt të pandemisë / Qeveria prezanton “pasaportën shëndetësore”, francezët protestojnë
Franca ka hyrë në valën e katërt të pandemisë, ndërsa qeveria ka prezantuar planin e ri për të parandaluar përhapjen e infektimeve me Covid-19. Në një konferencë për mediat, zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal, deklaroi se autoritetet po përpiqen të parandalojnë presionin në spitale, që mund të shkaktohet nga rritja e infektimeve. Masat, që përfshijnë një pasaportë shëndetësore në shumë vende publike dhe vaksinim të detyrueshëm për punonjësit e shëndetësisë, janë ndër më të ashprat në Europë. Pasaporta shëndetësore jep prova se një person është vaksinuar kundër Covid-19, ka rezultuar negativ në kohët e fundit apo është shëruar nga virusi. I vetmi rregull që ndryshon është ulja e gjobës në 1,500 euro nga 45,000 që ishte më parë, për bizneset që nuk kontrollojë nëse klientët e tyre kanë një pasaportë shëndetësore. Dokumenti do të kërkohet duke filluar nga gushti në të gjitha ambientet kryesore, duke përfshirë kinematë, baret, restorantet, spitalet, trenat dhe avionët. Për shkak të këtyre masave, në fundjavë më shumë se 100 mijë njerëz protestuan në Francë kundër pasaportës shëndetësore. Plani u njoftua rreth 1 javë më parë nga presidenti, Emmanuel Macron, në përpjekje për të luftuar rritjen e rasteve të reja me Covid-19, ndërkohë që edhe norma e vaksinimit është ngadalësuar.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.