Franca largon Ghosn nga Renault – Mbron aleancën me Nissan, ndërkohë që rrezohet në bursë
Franca hoqi Carlos Ghosn nga posti më i lartë i Renault, një ditë pas arrestimit të tij në Japoni për shkelje financiare, por u përpoq që të mbrojë aleancën me Nissan, që u trondit nga skandali.
Ghosn, një nga liderët më të njohur të industrisë së makinave, u arrestua ditën e Hënë, pas deklaratave të Nissan se ai ka përdorur paratë e kompanisë për motive personale dhe ka nënraportuar pagën prej vitesh.
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se Carlos Ghosn nuk është më në një pozitë për të drejtuar Renault.
“Ne kërkojmë një drejtim të përkohshëm, kështu që do të takoj administratorin, Philippe Lagayette, përfaqësuesin shtetëror të Renault, për t’i kërkuar që të caktojë menjëherë një drejtim të përkohshëm. Ghosn nuk është më në pozitë për të drejtuar grupin. I kemi kërkuar autoriteteve tatimore që të ndërmarrin verifikimet e zakonshme për Carlos Ghosn dhe mund të them se nuk ka ndonjë gjë të pazakontë për të raportuar”.
Shteti francez zotëron 15% të Renault, kompani që zotëron 43.4% të Nissan, gjë që përbën një aleancë komplekse të formuar nga Ghosn për mbi 20 vite. Analistët mendojnë se kjo do të rrezohet nëse Ghosn nuk është aty për ta drejtuar.
Le Maire tha se do të bisedojë me homologët japonez dhe se partneriteti i Renault me Nissan është në interes të të dyja vendeve dhe të dyja kompanive.
Nissan, që ishte pranë falimentimit kur Renault bleu aksionet në vitin 1999, është rimëkëmbur duke u kthyer në një aleancë të fuqishme që konkurron Volkswagn dhe Toyota.
Aksionet e Renault ranë ne 4.3% ditën e sotme, pas rënies me 8.4% të Hënën. Nissan nga ana tjetër, humbi 5.5%, ndërsa anëtari i tretë i aleancës, Mitsubishi, ra me 7%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.