Franca miraton ligjin e emigracionit – Vështirësohet procesi i aplikimit për azilkërkuesit
Asambleja Kombëtare në Francë ka miratuar ligje të reja për emigracionin që forcojnë rregullat e azilit duke përshpejtuar procedurën e aplikimit dhe duke bërë më të lehtë deportimin e azilkërkuesve.
Ligji i diskutueshëm ka sjellë kritika nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe ka shkaktuar përçarje brenda partisë Republikë në Lëvizje të Emmanuel Macron.
Ligjbërësit francezë miratuan projektligjin të dielën me 228 vota pro, 139 kundër dhe 24 abstenim, pas një debati maratonë që zgjati 61 orë dhe tërhoqi rreth 1000 amendamente.
“Nuk jam i sigurt që po u dërgojmë qytetarëve të botës mesazhin universal që ka qenë gjithmonë i yni”, tha përmes një deklarate një anëtar i partisë LRM, Jean-Michel Clement, i cili votoi kundër projektligjit.
Partia e Macron paraqiti projektligjin në shkurt të këtij viti. Sipas Euobserver, kjo i lejon autoritetet që t’i mbajnë fëmijët e azilkërkuesve në paraburgim deri në 90 ditë pasi presin depërtimin.
Në fillim të vitit të kaluar, Komisioni Europian u tha gazetarëve se mbyllja e fëmijëve është një mjet për t’i mbrojtur ata nga kontrabandistët dhe trafikantët. Ligji i BE lejon që ndalimi i tyre të zgjasë deri në 18 muaj. Disa javë më vonë, më pas ata nxorën edhe rekomandime se si të mbroheshin më mirë fëmijët.
Por ligji francez gjithashtu më tej redukton periudhën e paraqitjes së kërkesës për azil nga 120 ditë në 90 ditë dhe shkurton afatin për të filluar ankesat nga një muaj deri në 15 ditë.
Masa të tilla sipas Human Rights Watch, e bëjnë procesin e aplikimit shumë më të vështirë për azilkërkuesit dhe rrezikon padrejtësisht dërgimin e njerëzve në shtëpi që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.
Në vitin 2017, Gjykata Kombëtare franceze e azilit iu dha mbrojtje mbi 8000 njerëzve që kishin apeluar vendimin e tyre negativ. Ndërkohë, rreth 100 000 njerëz aplikuan për azil vitin e kaluar.
Ata që kanë statusin e refugjatit sipas ligjit të ri do të kenë qasje më të lehtë në punë.
Ndërkohë, komisioneri i emigracionit i BE-së, Dimitris Avramopoulos, përmes një deklarate shtatorin e kaluar u shpreh se:
“Duhet të rritet ndjeshëm numri ynë i kthimeve, të gjitha shtetet anëtare duhet të modernizojnë procesin e kthimit. Vendimet e kthimit nuk duhet të jepen, por të zbatohen.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.