Franga e dobët nxit ekonominë – Mbështet shitësit me pakicë, Credit Suisse rrit projeksionet
Zhvlerësimi i kohëve të fundit të frangës, do të mbështesë ekonominë e Zvicrës ndërkohë që dobësimi i valutës nxit konsumin dhe konkurrueshmërinë e shitësve me pakicë.
Franga ka rënë me më shumë se 4% kundër euros që prej fillimit të muajit Korrik dhe tregtohet në nivelet më të ulëta që kur Banka Kombëtare e Zvicrës hoqi tavanin me euron në Janar të 2015-ës.
Ndërkohë që treguesi i Credit Suisse për humorin e investitorëve ra në muajin Gusht në 25 pikë, indeksi për situatën aktuale ekonomike rezultoi në nivelin më të lartë që prej Gushtit 2014.
“Zhvlerësimi i fundit i frangës zvicerane po jep efekte pozitive”, deklaron Credit Suisse. Banka projekton një rritje të ekonomisë zvicerane me 1.5% në 2017-ën dhe 1.7% në vitin që vjen, sipër normës prej 1.3% në 2016-ën.
Franga e dobët i bën produktet zvicerane më të lira në Eurozonë, që është tregu më i madh i eksporteve i Zvicrës.
UBS bëri të ditur se zhvlerësimi i frangës do të përmirësojë konkurrueshmërinë e shitësve me pakicë, që janë gjendur në pozitë të vështirë prej vitesh.
Sipas analistëve, turizmi ka gjasa të bëhet gjithashtu më konkurrues në muajt që vijnë, pas rënies së frangës kundër euros.
“Në total, dobësimi i frangës do të ketë efekte pozitive në rritjen e konsumit”, deklaroi UBS, duke u bazuar në treguesit e vet për konsumin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.