Franga mbështet ekonominë – Qeveria zvicerane rrit projeksionet, efektet e frangës së fortë po zbehen
Qeveria e Zvicrës ka rritur projeksionet për 2017 dhe 2018, ndërkohë që ekonomia e nxitur nga eksportet pritet të rimëkëmbet nga nisja e ngadaltë e këtij viti, duke marrë mbështetje nga zhvlerësimi i fundit i frangës.
Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me 1% në 2017, projekton Qeveria, përpara se të përshpejtohet në 2.3% në vitin 2018 dhe 1.9% në 2019-ën. Këto norma janë sipër mesatares afat-gjatë prej 1.7%.
Sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), projeksionet e përditësuara reflektojnë tregtinë e jashtme ndërkohë që vendi po tejkalon krizën e valutës që nisi në 2015-ën.
Javën e kaluar, Banka Qendrore e Zvicrës rriti gjithashtu projeksionet për ekonominë, megjithatë, duke mos ndryshuar politikat monetare. Ekonomia e Zvicrës pësoi një ngadalësim prej vlerësimit të fortë të frangës, që i bën produktet e vendit më të shtrenjta në Eurozonë, që është partneri më i madh tregtar.
“Eurozona është përmirësuar dhe pritet të ketë një rritje më dinamike krahasuar me projeksionet e 3 muajve më parë. Brenda vendit, ne po shohim zbehjen e efekteve nga goditja e valutës”, deklaron institucioni.
Kompanitë që hasën vështirësi kanë rinisur shpenzimet dhe eksportet e vendit kanë filluar rritjen. Franga ka humbur thuajse 8% kundër euros në vitin 2017, duke ofruar një lehtësim për kompanitë që patën rënie në marzhet e fitimit, ndërkohë që u detyruan të ulin çmimet për të ruajtur konkurrueshmërinë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.