“Frenat” e borxhit në Gjermani – Nuk janë konsumuar. Qeveria synon përsëri buxhet të balancuar
Partia e qendrës së djathtë e kancelares gjermane Angela Merkel, kërkon ende të respektojë politikat e buxhetit të balancuar, pa marrë borxh të ri, pavarësisht presioneve brenda dhe jashtë për të rritur shpenzimet fiskale.
Bordi i Kristian Demokratëve pritet të kalojë një propozim, ku bën thirrje për politika të qëndrueshme fiskale. Frenat e borxhit të Gjermanisë lejojnë qeverinë Federale që të ketë një defiçit fare të vogël çdo vit, ndërkohë që premtimi i buxhetit të balancuar përjashton huamarrjen e re.
Qeveria e Merkel i’a ka dalë që të rrisë shpenzimet publike pa marrë borxh të ri që prej vitit 2014, falë ciklit të gjatë të rritjes ekonomike, punësimit të lartë, të ardhurat e mëdha nga taksat dhe programit të blerjes në treg të hapur të Bankës Qendrore Europiane.
Ndërkohë që ekonomia po ngadalësohet dhe të ardhurat tatimore po tkurren, hapësira fiskale për t’i bërë ballë një recesioni po bëhet gjithnjë e më e vogël. Paralelisht, kostot e huamarrjes së Gjermanisë po kthehen në prim, çka nënkupton se investitorët janë të gatshëm që të paguajnë shtetin për të patur mundësinë që t’i japin para borxh.
Federata e Industrive Gjermane (BDI) i bëri presion Berlinit javën e kaluar, që të rimendojë prioritetet buxhetore, duke thënë se Gjermania duhet të braktisë politikat e mosmarrjes së borxhit të ri, ndërkohë që kostot e huamarrjes janë zero dhe ka nevoja të mëdha të investimeve.
Ish-Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, që është arkitekti i këtyre politikave, bëri gjithashtu thirrje për një rivlerësim të politikave fiskale të Berlinit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.