Frenon rënia e lirës – Kryeministri bind Erdogan për të rritur normat e interesit
Presidenti i Turqisë, Erdogan, u bind nga ministrat kryesorë të ekonomisë dhe ndërhyrjes së kryeministrit, për të rritur ndjeshëm normën bazë të interesit. Rënia e shpejtë e lirës rriti shqetësimet në vend për një krizë të plotë të valutës. Për rrjedhojë, Banka qendrore lajmëroi një rritje emergjencë të normës së interesit me 3%, në 16.5%, një lëvizje që u projektua për të vendosur një dysheme për valutën.
Vendimi erdhi pas zhvillimit të një takimi emergjent mes zv/kryeministrit, ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore, për të trajtuar krizën. Lëvizja e bankës qendrore kërkoi ndërhyrjen e kryeministrit Binali Yldirim, gjë që vë në dukje tensionet mbi politikat monetare në krye të qeverisë turke. Një armik i normave të interesit, Erdogan ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme për të ulur kostot e huamarrjes që të rritet kreditimi dhe shpenzimet.
Nga ana tjetër, investitorët ndërkombëtarë kërkojnë rritjen e normave të interesit për të trajtuar inflacionin dyshifrorë, ndërkohë që kanë shitur gjerësisht lirën prej shqetësimeve për influencën e Erdogan mbi politikat monetare. Sipas zyrtarëve të qeverisë, valuta nuk do të zhvlerësohej deri në këtë nivel, nëse rritja e normave të interesit do të ishte ndërmarrë më herët.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.