“Frexit” baraz me faliment, Le Pen mund të gjenerojë një “apokalips”
Fitorja e le Pen mund të gjenerojë falimentin më të madh në histori. Në rast se zgjidhet presidente e ardhshme e Francës, kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë ka premtuar nxjerrjen e vendit nga Eurozona.
Në një skenar të tillë, rreth 80% e borxhit publik të vendit, që prek nivelin e 2100 miliardë eurove në total, do të ridenominohej në franga. Ky detaj është dhënë nga vetë zyrtarë të lartë të Frontit Nacional për Financial Times. Ajo që nuk është e qartë për opinionin publik, është fakti se, a përkthehet ridenominimi në valutë i borxhit në faliment?
Por, për ekspertët, as këtu nuk ka vend për dyshime. Nëse një vend ndryshon termat e kontratës, përfshirë valutën, atëherë deklaron automatikisht falimentin, deklaron një ndër ekspertët kryesorë të Standard and poor`s. Por nga ana tjetër, ndryshimi i valutës në të cilën një vend mban borxhin, rrezikon të zhvlerësojë në mënyrë drastike portofolin.
Zotëruesit e 1.7 trilionë eurove tituj shteti francez, do të pësonin humbje kolosale, në përpjesëtim të drejtë me zhvlerësimin e monedhës së re franceze. Pavarësisht se ky skenar duket apokaliptik, gjasat që të vihet në jetë nuk janë të pakta.
Pjesa dërrmuese e sondazheve e nxjerrin le pen fituese të raundit të parë të zgjedhjeve në Francë, dhe finaliste të padiskutuar në raundin final, atë të 7 majit. Me rënien e Francois Fillon, pretendentit kryesor, pas skandalit, gjasat që e katapultojnë le Pen në krye të Champes Elysse janë rritur ndjeshëm.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.