Frika e sipërmarrësve shqiptarë – Raporti i WEF, inflacioni dhe dështimi i qeverisjes globale, rreziqe të reja
Sipërmarrësit shqiptarë shohin rreziqe të reja që i kanosen biznesit të tyre, dhe ndër to është edhe inflacioni i pa menaxhueshëm. Forumi Ekonomik Botëror radhit rreziqet kryesore globale që i kanosen sipërmarrësve shqiptarë në dhjetë vitet e ardhshme. Raporti për vitin 2019 i rreziqeve rajonale të të bërit biznes kryhet në formën e një ankete, dhe të anketuarit duhet të zgjedhin 5 rreziqet kryesore globale që ata mendojnë se rrezikojnë biznesin e tyre në 10 vitet e ardhshme, në një listë me 30 rreziqe të parashtruara.
Pra, këto rreziqe janë ato që perceptojnë vetë sipërmarrësit shqiptarë. Ndër të tjera, rreziqet janë globale. Në vend të parë, si rrezik global që i kanoset biznesit të tyre, sipërmarrësit shqiptarë vendosin rrezikun e dështimit të mekanizmave apo institucioneve financiare, në vend të dytë, inflacionin e pa menaxhueshëm, në vend të tretë dështimin e qeverisjes globale dhe rajonale, në vend të katërt krizat fiskale, dhe në vend të fundit dështimin e infrastrukturës së informacionit.
Kjo e fundit së bashku me inflacionin dhe me rrezikun e dështimit të qeverisjes globale, janë risi në raportin e këtij viti, ndërkohë që krahasuar me një vit më parë, tregtia e paligjshme, katastrofat natyrore dhe konflikti ndërshtetëror nuk figurojnë më ndër rreziqet kryesore. Për sipërmarrësit shqiptarë, rreziqe si dështimi i qeverisjes kombëtare, emigracioni në shkallë të gjerë, papunësia, apo paqëndrueshmëria e thellë sociale, nuk janë ndër rreziqet kryesore për biznesin e tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.