Frika globale rrit çmimet/ Ari shkon në 2000 dollarë!
Çmimi i arit pësoi një rritje të ndjeshme, këtë fillim jave, duke prekur kështu nivelin të lartë që nga viti 2013, për shkak të shqetësimeve që lindën nga përhapja e shpejtë e koronavirusit të ri kinez. Disa ekspertë aludojnë se ari mund të arrijë 2,000 dollarë në një të ardhme jo shumë të largët. Në fakt, stoqet e arit kanë qenë një investim i mirë për një kohë të gjatë. Mirëpo indeksi i frikës ka filluar të shfaqet tek bizneset dhe mund të sjellë pasoja për tregun e aksioneve.
“Ka shumë gjëra që mund të shkojnë keq për tregun e aksioneve dhe ndikimi i një ngadalësimi ekonomik të Kinës nga koronavirusi mund të ndjehet globalisht” tha David Beahm, president dhe CEO i Blanchard & Company.
Në fakt, ari ndodhej në pozita të mira dhe përpara se të shfaqej koronavirusi i ri kinez, për shkak të normave të ulëta nga Rezerva Federale. Tre uljet e normave të interesit nga Rezerva Federale vitin e kaluar ndikuan në dobësimin e dollarit amerikan. Kjo bëri të mundur që ari të ishte më tërheqës se monedhat e tjera, veçanërisht pasi normat janë negative në disa vende të Europës dhe Japonisë.
Ari nuk është i vetmi metal që ka përfituar nga zhvlerësimi i dollarit dhe normat e ulëta të interesit. Argjendi dhe platini kanë pësuar një fryrje të çmimeve përgjatë vitit të kaluar. Ralph Aldis, menaxher portofoli i Global Investors, është shprehur se vlera e arit do të vazhdojë të rritet sepse investitorët mesatarë po e kërkojnë atë si një strehë të sigurt. Edhe bankat e mëdha qendrore globale kanë filluar të blejnë sasi të mëdha ari. Sipas shifrave të Këshillit Botëror të Arit, blerjet e arit të bankës qendrore u rritën 12% në tre tremujorët e parë të viti 2019 në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bankat qendrore shtuan 547.5 tonë metrikë ari në bazë neto.
Investitorët janë nervozë për një mori faktorësh përtej frikës së koronavirusit, tha Aldis. Politika monetare e lirshme në të gjithë botën po krijon një mjedis jo të shëndetshëm për aksionet, veçanërisht pasi fitimet e korporatave ranë në mënyrë të vazhdueshme vitin e kaluar. Beahm i Blanchard shtoi se shqetësimet për më shumë tensione në Lindjen e Mesme nuk janë larguar aspak.
Ai vuri në dukje se tregu më i gjerë i aksioneve mund të bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm këtë vit për shkak të shqetësimeve në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Beahm argumenton se investitorët duhet të kenë midis 10% dhe 15% të portofolit të tyre në metale.
“Ky vit do të jetë një vit tjetër i rritjes së përqindjes dyshifrore për arin. Mund të godasë nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, duke shkuar në 2,000 dollarë, në një të ardhme shumë të afërt, nëse nuk ndodh brenda këtij viti.’’- ka theksuar ndër të tjera David Beahm, president dhe CEO i Blanchard & Company.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.