“Fryhen” depozitat, rritja vjetore arrin 4.5%. Kryesojnë bizneset
Depozitat e shqiptarëve në banka janë rritur me ritme më të larta në muajt e fundit të vitit 2016. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të Nëntorit 2016, totali i depozitave arriti në 997 miliardë lekë ose rreth 7.3 miliardë euro.
Në fund të muajit nëntor, stoku total i depozitave rezultoi rreth 4.5% më i lartë se një vit më parë, kundrejt normës vjetore prej 3.8% në fund të tremujorit të tretë. Raporti i depozitave në total ndaj PBB-së vlerësohet të jetë rreth 72.7%.
Rritja ka ardhur sidomos nga depozitat në valutë, të cilat janë rritur 7.7% me bazë vjetore në periudhën tetor-nëntor. Depozitat në lekë janë zgjeruar me ritme më të moderuara, duke shënuar rritje mesatare prej 1.1%.
Ndërkohë, ecuria e depozitave sipas agjentëve ekonomikë tregon se një rritje veçanërisht të shpejtë kanë njohur depozitat e biznesit, me 14.7%, ndërsa depozitat e individëve janë rritur me 2.6%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, faktorë që ndikuan në forcimin e rritjes së depozitave në muajt e fundit të vitit, veçanërisht në segmentin e bizneseve, ishin rritja e ndjeshme e eksporteve dhe flukset e larta të investimeve të huaja direkte.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.