Fryhen të ardhurat e gjermanëve – Pagat rriten me normën më të lartë në histori në T2
Pagat në Gjermani u rritën me një normë prej 3.8% mesatarisht gjatë periudhës Prill-Qershor të këtij viti, krahasuar me tre muajt e parë. Kjo është rritja më e madhe në histori, që prej kohës kur këto të dhëna kanë filluar të publikohen.
Të dhënat nxisin edhe më tej pritshmëritë se, konsumi privat do të rritet edhe më, duke thyer nivele të reja rekord. Në tremujorin e parë, rritja e pagave fiksohej pranë 2.8%, tregon zyra e statistikave në vend. Të dhënat i referohen vetëm pagave të negociueshme.
Duke marrë parasysh se, norma e inflacionit është bindshëm më e vogël se norma e rritjes së pagave, atëherë të ardhurat e gjermanëve do të rriten ndjeshëm, gjë që do të reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë te konsumi privat, që prej kohësh i ka zënë vendin tregtisë si lokomotiva e rritjes ekonomike.
Të dhënat e javës së kaluar treguan se, shpenzimet konsumatore kontribuuan me 0.6 pikë përqindje në normën e rritjes ekonomike gjatë tremujorit të dytë të vitit. 17 milionë punëtorë në Gjermani përfaqësohen nga sindikatat dhe unionet e ndryshme që negociojnë pagat për ta, një herë në një ose dy vite.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.