“Fshihen” 10 pika të zeza – ARRSH hap tenderin 39 mln lekë, rritet siguria rrugore
10 pika në segmente të ndryshme rrugore, të identifikuara si burim aksidenti do të eliminohen, duke rritur sigurinë në rrugë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender me vlerë 39 mln lekë, ndërsa ka evidentuar dhe pika e zeza në rrjetin rrugor kombëtar.
Vendet ku do të ndërhyhet ndodhen në Nikël, në segmentet Fier-Levan, Vlorë-Fier, Shkodër-Koplik, mbikalimin e Spillesë apo kryqëzimin e Bubqit. Ndërkohë që, punimet janë në varësi të secilës prej tyre, duke përfshirë ndërtime mbikalimesh, ishujsh trafiku apo përmirësim i sinjalistikës vertikale e horizontale. Me shpalljen e fituesit të tenderit, kompania do të kenë 6 muaj kohë për ekzekutimin e kontratës, ndërkohë që për vitin buxhetor 2019, fondi në dispozicion është parashikuar në vlerën 26.551.800 lekë.
Pak kohë më parë drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato deklaroi se përgjatë vitit 2019 do të ndërhyhet në 19 pika të zeza të identifikuara si problematike. Ndërkohë që, paralelisht ky dikaster ka hapur edhe një tjetër tender që parashikon rritjen e sigurisë rrugore në akset kombëtare përmes përmirësimit të sinjalistikës.
Sipas Institutit të Statistikave në vend gjatë 7 muajve të parë të vitit kanë ndodhur 862 aksidente, ndonëse numri është në rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
TABELA
PIKAT E ZEZA KU DO TË NDËRHYHET:
Pika 1: Në Berat, pranë fshatit Otllak
Pika 2: E njohur me emrin “4 Rrugët e Shijakut”
Pika 3: E lokalizuar në Nikël
Pika 4: E lokalizuar në segmentin Fier –Levan
Pika 5: E lokalizuar në segmentin Vlorë – Fier
Pika 6: E lokalizuar në periferi të qytetit të Tepelenës
Pika 7: E lokalizuar pranë fshatit Leshnicë, Korçë
Pika 8: Në segmentin Shkodër – Koplik
Pika 9: Kryqëzimi i Bubq dhe Ura e Gjolës
Pika 10: Mbikalimi i Spillesë
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.