Fund mësimit me dy turne, Veliaj: Brenda vitit hapim 15 shkolla të reja
Bashkia e Tiranës do të vërë në funksion 15 shkolla të reja gjatë këtij viti, duke i dhënë fund edhe mësimit me dy turne. Duke u uruar mësuesve festën e 7 Marsit, Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se shkollat e reja që do të ndërtohen do të ofrojnë kushte komode për nxënësit.
“Këtë vit do të shtojmë shkollat e reja në Tiranë. Shkolla “Kosova” hapet në shtator, me kapacitet të trefishuar, si shkollë model e qytetit tonë. Shkolla e muzikës “Servete Maçi”, do të hapet gjithashtu këtë vit. Ndërkohë, sa kemi mbyllur garën e parë për shkollat e reja. Janë shkolla model, do të jenë të hapura 24 orë, si shkolla komunitare. Pesë të parat do t’i fillojmë në pranverë, pesë të tjera në verë dhe pesë në vjeshtë, për ta mbyllur njëherë e mirë çështjen e mësimit me dy turne në Tiranë”.
Ndërsa, më 8 Mars, të gjitha gratë dhe vajzat e qytetit do të mund të udhëtojnë falas në transportin publik në kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj e ka konsideruar këtë iniciativë si dhuratë me rastin e festës së gruas.
“Nesër zonjat dhe zonjushat e kryeqytetit do ta kenë biletën falas nëse përdorin transportin publik. E di që kemi ende shumë rrugë për të bërë me transportin publik, por kjo është një mënyrë për të kujtuar të gjitha zonjat dhe zonjushat që vetëm e zbukurojnë këtë qytet dhe mbajnë familjet tona në këmbë”.
Këtë 7 Mars qindra nxënës të shkollave të kryeqytetit zgjodhën që t’u shprehin mirënjohjen mësuesve të tyre duke mbjellë pemë. Kështu mori formë “Shtegu i dijes”, një hapësirë me pemë kushtuar mësuesve të Tiranës në Parkun e Liqenit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.