Fundi i “epokës së artë” të Gjermanisë/ Europianët shprehin pesimizëm për jetën “post Merkel”
Nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel, fuqia dhe ndikimi i Gjermanisë në çështjet europiane dhe globale ka qenë i padiskutueshëm.
Me largimin e saj nga posti pas 16 vjetësh, shumë europianë besojnë se “epoka e artë” e vendit ka mbaruar, përfshirë shumicën e gjermanëve, sipas një sondazhi të fundit.
Sondazhi, i kryer nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, zhvilluar në 12 vende të BE- së në fillim të verës (publikuar këtë javw), zbuloi se europianët ende e konsiderojnë Merkelin si një forcë bashkuese dhe presin që Gjermania të vazhdojë të japë udhëheqje brenda BE- së.
Sidoqoftë, ekziston një pesimizëm brenda dhe jashtë vendit për të ardhmen e Gjermanisë “post-Merkel”.
Sondazhi zbuloi se shumë europianë e shohin Gjermaninë si një fuqi në rënie. Kjo vihet re edhe më shumë në Gjermani, ku shumica (52%) mbajnë mendimin se vendi i tyre e ka kaluar “epokën e tij të artë”.
Vetëm 15% e të anketuarve në Gjermani thanë se besojnë se vendi i tyre është ende në “epokën e tij të artë” sot, me 9% të të anketuarve që besojnë se “epoka e artë” nuk ka ardhur ende.
Në të gjithë Europën, një e treta e europianëve të anketuar,(34%) thanë se ylli i Gjermanisë po venitet, 21% thanë se është në “epokën e tij të artë” sot dhe vetëm 10% besojnë se kjo periudhë është në të ardhmen.
Të dhënat nxjerrin në pah pasigurinë, si në Gjermani, ashtu edhe në fqinjët e saj, në lidhje me të ardhmen e vendit dhe udhëheqjen “de facto” në BE, në momentin që Merkel do të largohet nga zyra pas zgjedhjeve federale më 26 shtator.
Burimi origjinal: CNBC
Përshtati në shqip:
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.