Fundjava rikthen tërmetet/ 7 lëkundje të shtunën, më e forta pranë Gjirit të Lalzit me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter
Pas disa ditësh qetësi, disa lëkundje tërmeti janë ndjerë prej mbrëmjes e së shtunës në Shqipërinë e Mesme. Pas mesnate sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave Ujit dhe Mjedisit janë rreth 7 lëkundje, më e madhja me magnitudë 4 të shkallës rihter në orën 2:18.
E njëjta lëkundje sipas EMSC ka qenë me magnitudë 4.5, sipas një shkalle tjetër matjeje. Të tjerat kanë qenë me një magnitudë më të ulët. Por lëkundje të shumta ka pasur edhe prej orëve të pasdites së të shtunës deri në mesnatë, rreth 7 të tjera, më e madhja me magnitudë 3.4.
Epiqendra e tërmetit më të fortë ka qenë rreth 22 km nga Tirana, pranë Gjirit të Lalëzit me një thellësi, 46 km. Ekspertët i përkufizuan lëkundjet e së shtunës si paslëkundje që vijnë për pasojë e goditjes së fortë të 26 nëntorit, të cilat mund të vijojnë edhe për muaj me radhë.
Sipas tyre, lëkundja e tërmetit nuk ishte 4.5 e shkallës rihter, siç u raportua nga Qendra Sizmiologjike EMSC, por ishte 4.0 e shkallës rihter sipas magnitudës lokale.
Sipas ekspertëve, nga 26 nëntori janë shënuar më shumë se 1 mijë pasgoditje, të cilat do të vijojnë, si një dukuri normale pas goditjes kryesore.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.