Funksionimi i ekspertit fiskal, Kadeli: Drafti do tërhiqet për rishqyrtim
Drafti ligjor për ekspertin fiskal, i depozituar në Kuvend nga deputeti i LSI, Gjovalin Kadeli, mund të tërhiqet mbrapsht nga procedurat e diskutimit në komisionet parlamentare për t’u rishqyrtuar me grupet e interesit.
Hartimi i këtij drafti që synon rregullimin e këshillimin për sektorin fiskal ka futur në kontraditë shoqatat e kontabilistëve dhe audituesve me shoqatën e ekspertëve fiskalë.
Seanca dëgjimore e programuar për të dëgjuar grupet e interesit në Komision nuk u zhvillua një ditë më parë dhe shkak është bërë mungesa e Kadelit në komision. Në Komisionin e Ekonomisë vetëm pak ditë më parë kundër këtij drafti kanë mbërritur letra zyrtare nga Dhoma e Tregtisë së Tiranës dhe ajo Amerikane për mos miratim të tij.
Aktualisht këtë asistencë e ofrojnë studiot ligjore dhe ato të kontabilitetit, por në këtë projektligj përcaktohet qartë edhe fusha e veprimit, si dhe ngritja e Institutit të Ekspertëve Fiskalë. Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet, se përgjithësisht ata që janë kontingjent për të përfituar statusin e ekspertit fiskal janë ish-punonjës të tatimeve dhe kjo duhet parë me kujdes në dy aspekte.
E para ka të bëjë me mundësinë e braktisjes masive të nëpunësve të tatimeve për të ushtruar këtë profesion dhe e dyta me konfliktin e interesit në dosje të veçanta.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.