Funksionimi i Universiteteve – 31 marsi afati i fundit për hartimin e modelit të statutit
Protesta studentore i hapi rrugë një funksionimi të ri të institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë.
Grupi i punës i kryesuar nga ministria e Arsimit, student dhe ekspertë të fushës ka nisur tashmë procesin për përcaktimin e modelit të statutit për universitetet shtetërore, gjë e cila synon rregullimin e funksionimit e tyre duke përmbushur kërkesat e shprehura nga studentët gjatë protestës së tyre.
Këshilli i ministrave ka lënë si afat të fundit për modelin e statutit datën 31 mars. Statuti i universitetit i hap rrugë një sërë kërkesave të bëra nga studentët gjatë protestës, ndër të cilat veprimtaritë e autoriteteve dhe organeve drejtuese, zgjedhja apo emërimi i tyre, funksionimin e organeve të tjera në institucion përfshirë edhe këshillat studentor, kriteret e përzgjedhjes së personelit akademik, punësimin e tyre, përfshirjen e studentëve në proceset e vendimmarrjes në institucionet e arsimit të lartë, të drejtat dhe detyrat e studentëve si edhe funksionimi i njësisë së sigurimit të brendshëm të cilësisë.
Pas përcaktimit të modelit për funksionimin e këtyre institucioneve, statuti do ti paraqitet ministrisë së Arsimit dhe strukturave akademike të institucioneve të arsimit të lartë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.