Fuqizohet ekonomia e Eurozonës – Më shumë vende në rimëkëmbje, treguesi vjetor rishikohet në rritje
Ekonomia e 19 vendeve të Eurozonës u rrit sipër vlerësimeve të mëparshme me bazë vjetore, raporton Eurostat. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.6% në tremujorin e dytë, nga i pari, duke konfirmuar vlerësimin fillestar.
Rritja me bazë vjetore u përshpejtua në 2.2%, krahasuar me 2.1% që ishte vlerësimi i datës 1 Gusht. Ekonomia e Eurozonës është zgjeruar në këtë periudhë, pasi më shumë vende i janë bashkuar rimëkëmbjes.
Rritja për tremujorin u mbështet nga Gjermania, ekonomia më e madhe e rajonit, dhe performanca e fortë e Spanjës. Megjithatë, pas vitesh të stimujve monetarë, rimëkëmbja po fillon të shtrihet në më shumë vende. Eksportet dhe investimet sollën rritjen më të fortë që prej vitit 2011 në Francë, ndërsa Hollanda publikoi normën më të fortë që prej vitit 2007.
Italia, që ka mbetur prapa homologëve prej vitesh, pritet të arrijë një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto me 1% këtë vit, për të parën herë që prej vitit 2010. Ekonomistët thonë se rimëkëmbja është e fortë, e gjerë dhe e mbrojtur nga goditjet e jashtme.
Rritja më e lartë rezultoi në Rumani, me 5.7%, ndjekur nga Letonia dhe Çekia me 4.8% dhe 4.5% në mënyrë respektive. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, do të përditësojë perspektivën mbi ekonominë në muajt që vijnë.
Investitorët do të shqyrtojnë komentet e tij për detaje mbi stimujt monetarë. Takimi i radhës i institucionit në Frankfurt do të zhvillohet më datë 7 Shtator.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.