Fuqizohet ekonomia gjermane, për të gjithë 2016-ën rritet me 1.9%
Ekonomia gjermane u rrit me 0.4% në tremujorin e fundit 2016, prej shpenzimeve shtetërore, konsumit privat më të madh dhe ndërtimit, që kompensuan për një rënie në tregtinë e jashtme.
Pavarësisht se ishte poshtë pritshmërive prej 0.5%, rritja shënoi një rimëkëmbje të fortë për ekonominë më të madhe të Europës krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Për totalin e 2016-ës, norma e rritjes ekonomike u konfirmua në 1.9%, që është dhe më e forta në gjysmë dekade. Analistët e Commerzbank thonë se rritja mund të përshpejtohet në tremujorin e parë të 2017-ës, prej konsumi privat si pasojë e punësimit në nivel rekord, pagave të larta dhe normave të ulëta të interesit.
Norma e rritjes për tremujorin e tretë u rishikua në 0.1% nga 0.2% që ishte më parë. Kjo tendencë e nxitur nga konsumi në ekonominë gjermane pritet të vazhdojë edhe në fillim të 2017-ës.
Megjithatë, një rritje e nivelit të çmimeve nënkupton se konsumatorët do të kenë më pak para për të shpenzuar. Çmimet e konsumit u rritën me 1.9% në Janar me bazë vjetore, duke treguar normën vjetore të inflacionit më të lartë që prej Korrikut 2013.
Qeveria gjermane pret një rritje prej 1.4% për totalin e 2017-ës.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.