Fuqizohet industria europiane. Italia kryeson me 42% rritje, por ende poshtë nivelit të parakrizës
Industria italiane u rrit thuajse sa dyfishi i pritshmërive gjatë muajit Maj, kur nisi lehtësimi i masave të karantinës. Ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës regjistroi një rritje të prodhimit industrial me 42% nga muaji i kaluar, krahasuar me pritshmëritë për 24%. Megjithatë, pavarësisht këtij fuqizimi, prodhimi mbetet ende në rënie me më shumë se 20% nga viti i kaluar. Franca pati gjithashtu një rritje të fuqishme me 19.6%, ndërsa Spanja dhe Gjermania rezultuan poshtë pritshmërive, në 14.7% dhe 7.8% rritje.
Këto shifra pozitive në të gjithë Eurozonën, po krijojnë një tablo jo shumë të besueshme mbi fuqinë e ekonomive. Shumë biznese dhe sektorë nuk kanë ende mundësi të operojnë në kapacitet të plotë dhe norma e papunësisë mund të rritet shpejtë menjëherë pas përfundimit të stimujve qeveritarë. Analistët thonë se tregu i punës përbën treguesin kryesor për të kuptuar rimëkëmbjen në shtetet kryesore të Europës. Momenti kritik për ekonomitë individuale do të jetë kur shumë programe të ndihmave qeveritare të përfundojnë.
Vlerësimi i të dhënave për ndotjen nga Citigroup, tregon se rimëkëmbja do të jetë e ngadaltë dhe e gjatë. Sipas bankës, nivelet e ndotjes në Francë dhe Gjermani tregojnë se prodhimi në manifakturë është ende 15% poshtë nivelit të vitit të kaluar.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.