Fuqizohet industria në Eurozonë – Prodhimi industrial rritet me 3.7% gjatë Tetorit
Prodhimi industrial në Eurozonë u rrit me 0.2% në muajin Tetor, krahasuar me një rënie prej 0.5% që rezultoi në muajin Shtator. Sipas të dhënave të Eurostat, prodhimi industrial në 19 vendet e valutës së përbashkët u rrit me 3.7% me bazë vjetore gjatë Tetorit.
Rritja mujore erdhi prej prodhimit të mallrave jo të qëndrueshëm të konsumit, në rritje me 0.5%, ndjekur nga energjia me 0.1%.
Krahasuar me Tetorin 2016, rritja e prodhimit industrial erdhi prej prodhimit të mallrave të qëndrueshëm të konsumit me 5.7% dhe mallrat e ndërmjetëm me 5%, ndërkohë që prodhimi në energji tregoi rënie me 2.2%.
Ndër vendet anëtare, norma më e lartë e prodhimit industrial u regjistrua në Irlandë, me 10.6% rritje, ndjekur nga Danimarka dhe Kroacia, me 2.8% dhe 2.7% në mënyrë respektive.
Në anën tjetër, Malta pati rënien më të madhe në prodhimin industrial me 6.1%, ndjekur nga Portugalia dhe Holanda me 2.3% dhe 1.8%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.