Fuqizohet tregu i punës në Britani – Papunësia në 4%, largohen bindshëm punëtorët e BE
Papunësia në Britani ra papritmas në një rekord të ri 43-vjeçarë në tremujorin e dytë, megjithatë, rritja e pagave u ngadalësua në nivelin më të ulët në 9 muaj.
Të dhënat zyrtare treguan gjithashtu rënien më të madhe vjetore të punëtorëve të Bashkimit Europian në Britani që prej vitit 1997, duke vazhduar trendin e nisur në Qershorin e vitit 2016, ku ndodhi referendumi për Brexit.
Megjithatë, fuqizimi i tregut të punës dështoi të reflektohet në rritjen e pagave. Sipas analistëve, të dhënat vijnë negativisht për Bankën e Anglisë, ndërkohë që 1 nga justifikimet kryesore për rritjen e normës bazë të interesit ishte përshpejtimi i pagave.
Të dhënat e kësaj jave treguan gjithashtu rritjen e produktivitetit me normën më të lartë vjetore që prej fundit të 2016-ës,. Norma e papunësisë ra në 4% në periudhën Prill-Qershor, që është më e ulëta që prej Shkurtit 1975.
Rënia erdhi pavarësisht krijimit të ngadaltë të vendeve të punës në tremujorin e dytë prej 42 mijë. Të dhënat u përkthyen pozitivisht për paundin, që mori nxitje pas publikimit të tyre. Rritja vjetore e pagave u ngadalësua në një nivel të ulët 9-mujor prej 2.4%, poshtë projeksioneve prej 2.5%.
Duke përjashtuar bonueset, pagat mbetën të qëndrueshme në 2.7%, poshtë rritjes mesatare prej 4% që regjistrohej para krizës financiare. Prodhimi për orë, matës i produktivitetit, u rrit me 1.5% me bazë vjetore për periudhën, që është rritja më e madhe që prej fundit të 2016-ës.
Ekonomia britanike morri pak vrull pas ngadalësimit në tremujorin e parë. Ndërkohë që vetëm 8 muaj kanë mbetur para se Britania të dalë nga Bashkimi Europian, zyra e Statistikave tregoi për një dalje të shpejtë të fuqisë punëtore nga Europa.
Në Tremujorin e dytë, 2.35 milionë persona me kombësi në BE punonin në Britani, në rënie me 86 mijë nga e njëjta periudhë një vit më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.