Fuqizohet tregu i punës në Britani – Punonjësit në bordero, pranë nivelit të para pandemisë. Pagat, në rritje
Numri i punonjësve në listat e pagave të kompanive në Britani i është afruar niveleve të para pandemis dhe rritja e pagave ka shënuar nivel rekord, pavarësisht se është shtrembëruar nga efektet e karantinës së koronavirusit.
Ndërkohë që ekonomia britanike ka vazhduar rimëkëmbjen, numri i punonjësve në lista është rritur me 182,000 në Korrik, në një total prej 28.9 milionë, apo 200,000 poshtë nivelit të para pandemisë.
Zyra kombëtare e Statistikave theksoi gjithashtu se norma e papunësisë ra në 4.7% në tremujorin që përfundoi në Qershor, që është niveli më i ulët që prej tremujorit të tretë 2020. Në total, të dhënat pritet të shtojnë besimin se ekonomia do të dalë nga pandemia me më pak dëme afatgjata se sa pritej nga analistët. Zyra e Statistikave theksoi se orët e punuara në 1 javë kanë kaluar nivelin e 1 miliardë përtë parën herë që kur goditi pandemia.
Tregu i punës në Britani është mbështetur nga subvencioni i pagave i ministrit të financave Rishi Sunak, që ka dhënë pagat e 8.9 milionë vendeve të punës në kulmin e programit në Maj 2020, gjatë karantinës së parë.
“Mund të ketë ende sfida në të ardhmen e afërt, por të dhënat janë premtuese. Ka më shumë punëtorë në bordero se në çdo moment që prej Marsit 2020”– tha Sunak. Zyra e Statistikave theksoi se të ardhurat mesatare javore në tremujorin e dytë u rritën me 8.8% me bazë vjetore, që është treguesi më i lartë që kur nisën regjistrimet 20 vite më parë, pavarësisht se të shtrembëruara pak nga efekti i pandemisë.
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.