Furnizimi me ujë 24 orë – Veliaj: Brenda 5 viteve heqim depozitat
Vetëm pak orë para se të mblidhet Këshilli Bashkiak për të votuar rritjen e çmimit të ujit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu besimin se do t’i hapë rrugë investimeve madhore për t’i garantuar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë.
Ai deklaroi se Plani i Biznesit i hartuar me ndihmën e USAID-it, përmes të cilit do të realizohen investimet e nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës, është garancia finale që qytetarët e Tiranës të kenë ujë të rrjedhshëm 24 orë.
“Plani i biznesit i Bashkisë së Tiranës dhe UKT për forcimin e rrjetit të ujësjellësit që sjell ujë të pijshëm 24 orë brenda 5 vitesh, është garancia finale që kemi për një Tiranë ku të gjitha depozitat që shikoni mbi pallate, që rrezikojnë banorët e kateve të fundit, të mos jenë më rrezik. Të jetojmë në një qytet, ku jo vetëm ka ujë të pijshëm 24 orë, por nuk i mbajmë sytë nga tavani se mos na bie gjithë depozita dhe na zë brenda. Kjo do vendime të guximshme; unë jam gati t’i marr dhe mezi pres që anëtarët e Këshillit Bashkiak t’i marrin këto vendime të guximshme, të shpëtojmë jetët e njerëzve që nuk kanë ujë 24 orë, por të shpëtojmë edhe jetën e atyre që rrezikojnë nga depozitat lart, nga ndotja që sjellin apo nga rreziku për të shembur pallate të tëra prej qindra litrave që kanë mbi kokë”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku falenderoi qytetarët për mirëkuptimin që kanë treguar në këto ditë të vështira, si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur, dhe garantoi se bashkia do të vijojë me furnizimin me bote në ato zona të cilat janë të prekura nga kufizimet me ujin e pijshëm.
Këto deklarata Veliaj i bëri teksa inspektoi punimet që po realizohen për rikualifikimin urban të bllokut Nr.1 në Laprakë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.