Furnizimi me ujë në bregdet – 42 mln euro investime për Himarën dhe fshatrat turistike
42 mln euro do t të investohen në Himarë dhe në disa nga fshatrat turistikë më të frekuentuar, sikurse janë Borshi, Jala, Livadhi, Qeparoja apo Vunoja, në drejtim të rritjes së cilësisë së furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
Investimet e nevojshme në Himarë, në fshatrat e saj bregdetare dhe në zonën e Orikumit do të realizohen në kuadër të një programi të ri, të quajtur Ujësjellësit Ruralë IV, në kuadër të të cilit parashikohet që nga Kfw-ja të akordohet një kredi në vlerën 40 milionë euro dhe një grant në vlerën 2 milionë euro, në bazë të një marrëveshjeje qeveritare për bashkëpunimin financiar 2018, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane .
Programi “Ujësjellësit Ruralë IV” do të zbatohet në një zonë që përfshin Bashkinë Himarë, ku përveç fshatrave të mësipërm do të përfitojnë edhe Kuçi, Buronja, Piluri, Kudhësi apo Himara Fshat. Investimi parashikon vënien në punë të impiantit të trajtimit të ujëra vetë ndotura të Orikumit si dhe instalimin e lidhjeve familjare për ujësjellësin në qytetin e Orikumit. Tashmë, marrëveshja ka mbërritur në Kuvend për diskutim, ndërkohë që nga ky investim pritet të përfitojnë jo vetëm 25200 banorë, të Bashkisë së Himarës, por edhe rreth 20 mijë pushues çdo vit, që frekuentojnë këto zona.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.