Furnizimi me ujë në zonat rurale – FSHZH: Gati projekti për rikonstruksionin e ujësjellësve për 18 fshatrat e Tropojës
Projekti i investimeve për rikonstruksionin e dy ujësjellësve që do të furnizojnë banorët e 18 fshatrave në Bashkinë Tropojë është gati. Lajmin e ka bërë të ditur Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar konsultime mbi projektin teknik me banorët e Tropojës dhe të Llugajt.
Nga ky investim që parashikon furnizimin me ujë të pastër përmes rënies së lirë nga burimet e Valbonës dhe Perlinat e Bardha do të përfitojnë rreth 5300 banorë.
Ndërkohë, ai do të shtrihet në fshatrat Astë, Tropojë Fshat, Kuçana, Myhejan, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel-Shpat dhe Fushë, Shumicë, Babinë, Begaj në Nj. A. Tropojë dhe Rrogam, Cërnicë, Dunishë, Bukovë dhe Llugaj në Nj. A. Llugaj.
Punimet për ndërtimin e këtyre dy skemave të reja ujësjellësish në Tropojë dhe Llugaj sipas FSHZH-së do të nisin brenda këtij viti. Funksionimi dhe mirëmbajtja e tyre do të bëhet nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve pranë Bashkisë Tropojë, ndërsa konsumatorët do të pajisen me matësa uji.
Ky investim do të realizohet në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (RSW III), i cili zbatohet nga FSHZH dhe financohet nga qeveria shqiptare, Bashkëpunimi Gjerman, KfW dhe fondet IPA. Programi ka një financim total prej rreth 39 mln Eurosh dhe parashikon ndërtimin e skemave të ujësjellësve në disa të vendit.
Nga ky program i cili do të ketë shtrirje në zonat rurale në të gjithë vendin përfitojnë në total 75 mijë banorë. Ai ka filluar në fillim të vitit 2015 dhe do të zgjasë 5 vjet, deri në vitin 2019.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.