Fushat e lira të gazit – Albpetrol nxjerr për shprehje interesi Povelçën dhe fushën e Frakullës
Kompania Albpetrol ka nxjerrë për shprehje interesi 2 fusha të lira gazi për të gjithë investitorët që do të duan të ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Sipas njoftimit, çdo palë e interesuar mund të aplikojë për fushën e Povelçës dhe Frakullës, që janë nën administrim nga kompania shtetërore. Investitorët e interesuar për të hyrë në Marrëveshje Hidrokarbure me shoqërinë Albpetrol për fushat e mësipërme, duhet të dorëzojë zyrtarisht me postë Formularin e Aplikimit dhe dokumentet e tjera, deri në datën 5 mars të vitit që vjen, ndërkohë që për të marrë paketën me të dhënat teknike të fushave të mësipërme duhet të kryejë pagesën prej 6500 USD.
Kjo është hera e parë, pas shumë vitesh që Albpetrol nxjerr për shprehje interesi fushat e lira që në administrim, ndërkohë që më herët ishte Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore që ndërmori një fushatë promovimi për blloqet e lira të kërkimit të naftës, teksa ofroi për eksplorim bllokun C, bllokun Panaja dhe bllokun Dumrea. Ndërkohë që, pas kësaj fushate u arrit të nënshkruhej marrëveshja me kompaninë italiane ENI, për nisjen e operacioneve të kërkimit në bllokun Dumrea. Më herët, AKBN ndërmori procedura të ngjashme edhe për bllokun C, për të cilin pati një shprehje interesi, por nënshkrimi i marrëveshjes hidrokarbure nuk u arrit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.