Fushata kundër informalitetit – Bllokohen 75.000 llogari bankare të bizneseve debitore
Përveç numrit shumë të lartë të pasurive të bllokuara të bizneseve debitore, fushata kundër informalitetit ka prodhuar një tjetër efekt anësor problematik: bllokimin e mbi 75 mijë llogarive bankare të kompanive.
Shifra konfirmohet për SCAN nga bankat tregtare ashtu si dhe nga të dhënat zyrtare të autoriteteve tatimore. Mësohet gjithashtu se shifra e debisë që u korrespondon këtyre llogarive është mbi 40 miliardë lekë, afërsisht 400 milionë dollarë.
Bllokimi i llogarive bankare është një prej mekanizmave të përdorur me shpesh për të detyruar kompanitë të shlyejnë detyrimet tatimore e doganore. Sipas të dhënave zyrtare, detyrimet e papaguara të bizneseve arritën në fund të vitit 2016 në më shumë se 147 miliardë lekë (më shumë se 1 miliard euro). Ky detyrim përbëhet nga borxhet e dhjetëra mijëra bizneseve dhe individëve në të gjithë vendin.
Një pjesë e këtij borxhi (ai para vitit 2010) po fshihet tashmë nga Tatimet, në kuadër të faljes fiskale, e cila, sipas ligjit përkatës, do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.