Fushata në Gjirokastër: Tavo policia po ndërhyn në procesin elektoral, lëviz në qytet me targa fallso
Fushata zgjedhore në Qarkun e Gjirokastrës ishte tema e emisionit ’60 Minuta’ nga gazetari Arbër Hitaj në RTV SCAN. Të ftuar ishin tre kandidatët e këtij Qarku: Vangjel Tavo nga LSI, Roland Bejko nga PD dhe Laert Duraj nga PS. Të pyetur sesi po shkon fushata zgjedhore, Tavo ngriti akuza se në Gjirokastër policia po ndërhyn në procesin elektoral dhe në fushatën e kandidatëve të opozitës. Tavo tha se është polici civile, që lëvizn nëpër qytet me targa fallso, si edhe e ndjekin atë këmba-këmbës. Sipas tij kjo ndodh edhe për një arsye, pasi vetë ministri i brendshëm, Bledi Çuçi kandidon në këtë Qark.Gjithashtu, Tavo shtoi se maxhorancana në këto 8 vite ka larguar nga Gjirokastra të gjitha institucionet dhe drejtoritë rajonale duke i zhvendosur ato në në qarqe të tjera. Ndërkaq, për Bejkon në jug ndihet një frymë e jashtëzakonshme dhe iu bën thirrje qytetarëve të zonës ta votojnë sepse ai njeh sociologjinë e zonës dhe e di mirë cila është antidoda për ta nxjerrë nga varfëria drejt zhvillimit këtë Qark. Por, për Laert Duraj, me ambicien se PS do t’ia dalë sërisht, të bësh fushatë mbetet një përgjegjësi e madhe pasi sipas tij pritshmëritë e qytetarëve ndaj maxhorancës janë të mëdha.
Vangjel tavo:
Si po shkon fushata në qarkun e Gjirokastrës?
Mund të them që fushata elektorale në Gjirokastër ka filluar disi ndryshe kësaj radhe, në ndryshim nga fushatat e viteve të tjera në Gjirokastër. Ku në Gjirokastër kanë ardhur forca të shumta, polica civili, me makina me targa fallso, nuk e di kujt i përkasin se vetëm policia e rendit nuk janë. Janë polici kriminale nga sa jam informuar dhe të QKB, të cilët kanë mision e para, të më ndjekin mua këmba këmbës ku shkoj dhe e dyta për të intimiduar qytetarët, por edhe policët e Gjirokastrës. Kemi një ndërhyrje të policisë në procesin elektoral, sesa do ndërhyjnë ditën e zgjedhjeve këtë do ta shikojmë.
Është akuzë e fortë, keni prova?
Është reale. Është e fortë sepse është diçka që s’ka ndodhur asnjëherë në Gjirokastër në 30 vite vitet e fundit të sistemit pluralist. Që të vijë gjithë stafi, gjithë pjesa e ministrisë së Brendshme të dislokohet në Gjirokastër, kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Është hera e 8 që kandidioj në Gjirokastër dhe nuk e kam parë asnjëherë, probleme të tjera ka pasur, por jo problem të këtij lloji ku policia të ndërhyjë në fushatën elektorlae të kandidatëve të opozitë.
Nuk ka nevojë fare për ta pasur prova, e dinë të gjithë qytetarët e Gjirokastrës që po shikojnë në Gjirokastër që qarkullojnë makina të çuditshme, makina që s’kanë qarkulluar kurrë në Gjirokastër herë tjetër, shikojnë njerëz të cilët nuk janë gjirokastritë, por që janë forca të shumta, civila. Prova është, që në mëngjes e gdhijnë në komisariat, takohen në komisariat dhe në darkë parkojnë makinat përsëri në komisariat. Atëherë, çfarë mund të jetë tjetër?
Pse ndodh kjo?
Është absolutisht frika e humbjes së pushtetit nga ana e mazhorancës, sidomos në Gjirokastër ku vetë ministri i brendshëm kandidon në Gjirkastër me listën e mazhorancës. Ka arsye, përveç frikës që kanë dhe që e shikojnë që po u rrëshqet pushteti. Çuçi është i treti në listën e mazhorancës, por ai e di shumë mirë që mazhoranca për shumë arsye të keqmenaxhimit të pushtetit në këtë 8 vjeçar do të jetë humbëse dhe në Gjirokastër. E di shumë mirë që nuk do ta marrë vetë mandatitin si Çuçi, por do jetë deputet sepse hapjen e fushatës elektorale të gjithë kanidatët e maxhorancës, në mënyrë shumë të çuditshme po bënin thirrje që të votohet numri 3, zoti Çuçi.
Sot, si asnjëherë tjetër në Gjirokastër ka një papunësi ekstreme, ka një varfëri ekstreme, ekonomia ka rënë, ka një shpopullim, rinia ka humbur shpresën dhe ëshët larguar jashtë për një të ardhme më të mirë. Nga ana tjetër, kjo maxhorancë në këto vite të qeverisjes së saj, ka larguar nga Gjirokastra pothuajse të gjitha institucionet, drejtoritë rajonale. Ka larguar nga Gjirokastra drejtorinë e bujqësisë, ka larguar drejtorinë e Arsimit, ka larguar drejtorinë e Arkivit e kanë çuar në Lushnje, ka larguar inspektoriatin e mjedisit dhe të ujrave, kanë larguar inspektoriatin industrial-teknik, kanë larguar spitalin rajonal të Gjirokastrës e kanë çuar në Fier, kanë larguar Gjykatën e Apelit në Vlorë.
Roland Bejko:
Si po shkon fushata në qarkun e Gjirokastrës?
Jam në kontakt të drejtëpërdrejtë me zgjedhësit e mi. Falë teknologjisë sot kemi mundësi të komunikojmë me ta dhe të interesohemi të marrim vesh çfarë po ndodh aty. E rëndësishme është që aq ditë sa isha i angazhuar në fushatë ishte vërtetë e befasishme sepse pashë një dëshirë të madhe të qytetarëve të për të na pritur, për të na takuar, për të biseduar. Ndryshe nga fushatat e tjera ku e kemi pasur të vështirë të takojmë grupe sociale njerëzish që janë jashtë politikës, këtë radhë kanë qenë ata që na kanë ftuar për të ndarë mendime sëbashku dhe për të na dhënë mbështetje. Ka një frymë të jashtëzakonshme në jug këtë radhë, mendoj se është vazhdimësi e asaj çfarë ndodhi me zgjedhjet lokale ku pjesëmarrja e qytetarëve ishte shumë e ulët.
Pse duhet t’iu japin ju besimin qytetarët e Gjirokastrës?
Ndryshe nga kandidatët e tjerë që pretendojnë të qenë fitues në këto zgjedhje në Qarkun Gjirokastër, avantazhi im më i madh është fakti se nuk kam qenë asnjëherë në pozita pushteti në atë zone, për të marrë mbi vete riskun e konsumit prej abuzimit me të. E urrej korrupsionin dhe i dua njerëzit. Raportin me qytetarin e ndërtoj nën moton se ajo që për mua mund të jetë thjesht një detaj i parëndësishëm, për qytetarin mund të jetë vetë jeta, ndaj i trajtoj me seriozitetin më të madh problemet dhe shqetësimet e tyre. Unë jam njohës i mirë i atyre njerëzve, e njoh sociologjinë e zonës dhe e di mirë cila është antidoda për ta nxjerrë nga varfëria drejt zhvillimit atë Qark.
Laert Duraj:
Çfarë është ndryshe në këto zgjedhje për ju dhe PS?
Mund të flas me detaje në lidhje me fushatën, duke qenë se edhe në 2017 kam kandiduar dhe kam shkelur në çdo cep të paktën të dy Bashkive të mia, po edhe në Gjirokastër sepse unë jam shumë i lidhur me këtë qark. Mund të them se kësaj here të bësh fushatë është patjetër përgjegjësi shumë e madhe sepse pritshmëria e votuese ndaj PS dhe atyre që ajo ka bërë në këtë qark është shumë e madhe. Kur arrin një nivel të caktuar dhe pastaj do ta përmirësosh më shumë bëhet një sfidë e vërtetë, por sigurisht që ne do ia dalim.
Arber Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.