“Future Balkans”, debati ekonomik vjen në Tiranë
Ersuin Shehu
Në më pak se tre dekada demokraci dhe ekonomi tregu, kemi bërë rrugë. Dikur, ishim fuçia e barutit në Europë. Sot, mund të themi se kjo fuçi është drejt “demontimit” dhe të gjithë po shohim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe një të ardhmeje me më shumë mirëqenie. Për ne që jetojmë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kemi si Europën Perëndimore si model dhe aspiratë, ndoshta progresi perceptohet ngadalë. Ata që vijnë nga jashtë dhe e kanë më të lehtë për ta kuptuar ndryshimin, na e vënë shpesh në dukje se, pavarësisht nga problemet e shumta, vendet tona kanë ndryshuar për mirë.
Më datë 24 janar, Scan Media Group, në bashkëpunim me Bursën Shqiptare të Titujve dhe Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë do të organizojnë konferencën ekonomike rajonale: Ballkani i të ardhmes: drejt një përfshirjeje globale. Ky do të jetë një rast i rrallë për të sjellë në qendër të diskutimit ekonomik disa prej sfidave ekonomike të rajonit tonë.
Ballkani Perëndimor ka nevojë të thellojë tregun financiar dhe të zhvillojnë tregje dinamike të kapitalit. Shqipëria është vendi më i vonuar në këtë drejtim dhe vetëm këtë vit pritet të nisë aktivitetin bursa e parë private. Një treg kapitali është thelbësor për të ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, duke i dhënë sektorit privat më shumë alternativa financimi, me kosto më konkurruese. Një ekonomi kapitaliste e zhvilluar sot nuk mund të kuptohet pa një treg kapitali.
Krijimi i një zone të mirëfilltë ekonomike rajonale është i domosdoshëm për të zgjeruar perspektivat e zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor. I kuptuar si një treg i madh, ky rajon do të ishte shumë më tërheqës për investitorët dhe do të thithte më shumë flukse kapitali. Kur flasim për investime, në radhë të parë kuptojmë nevojën për më shumë prani të kapitalit perëndimor, edhe si nevojë për të ndërtuar një model korrekt dhe modern të funksionimit të tregut. Nga politika pritet më shumë vullnet për të çuar përpara reformat e nevojshme për të ndërtuar një shte ligjor dhe një treg funksional, për të garantuar mbrojtje dhe besim te investitorët seriozë. Shqipëria në vitet e fundit ka hedhur hapa në drejtimin e duhur. Por, reforma madhore, si ato që prekin drejtësinë, formalizimin e ekonomisë, derregullimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit, ngritjen e një tregu të mirëfilltë energjetik, etj. janë prioriette që duhet të avancojnë më shumë gjatë këtij mandati qeverisës.
Nuk duhet të jenë tabu as kapitalet që vijnë nga lindja dhe sidomos nga Azia. Projekti i “Rrugës së mëndafshit” është një shans i madh edhe për rajonin tonë. Por, nuk duhet harruar se një zonë e mirëfilltë ekonomike rajonale do të sillte hapësira më të mëdha zhvillimi edhe për bizneset brenda rajonit. Shqipëria ka tashmë sipërmarrje dhe grupe biznesi që po mendojnë përtej kufijve kombëtare dhe kanë nisur aktivitetet e tyre në rajon. Shumë biznese, veçanërisht në sektorin prodhues, ende e shohin hapjen e tregjeve më shumë si rrezik, sesa si oportunitet. Ky lloj mentaliteti është një kufi që duhet tejkaluar: biznesi duhet ta shohë suksesin të lidhur me aftësinë për t’u rritur e për të qenë konkurrues dhe jo me proteksionizmin.
Përparimi i rajonit kërkon gjithashtu vizion dhe kurajo në vendimmarrje. Nëse aspirojmë Europën, duhet të mendojmë si europianë. Duhet të shohim para dhe jo prapa, te plagët e së shkuarës. Zhvillimi ekonomik kërkon paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Konferenca ekonomike e organizuar nga SCAN Media Group do të sjellë në Tiranë përfaqësues të rëndësishëm të organizatave të biznesit, bursave dhe sistemit financiar nga i gjithë rajoni, për të diskutuar rreth këtyre sfidave. Shqipëria dhe Rajoni, më shumë se kurrë kanë nevojë për forume të tilla, ku në qendër të diskutimit të jetë ekonomia dhe vullneti për përparim e prosperitet.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.