G7 kritikon SHBA për tarifat – “Bashkëpunimi, nën rrezik nga veprimet tregtare kundër anëtarëve të tjerë”
Grupi i shefave të financave të G7, shtatë prej ekonomive më të fuqishme të botës, lëshuan një vërejtje të rrallë për një shtet anëtar, duke thënë se veprimet tregtare të SHBA mund të cënojnë besimin global ekonomik dhe të kërcënojnë efektivitetin e aleancës Perëndimore.
Deklarata specifikonte Shtetet e Bashkuara, anëtarin më të madh dhe më të rëndësishëm të G7 dhe kërkon të merret një veprim thelbësor gjatë samitit të javës së ardhshme në Kuebek. Ministrat kërkuan që sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin të komunikojë shqetësimin dhe zhgënjimin e tyre unanim.
“Komuniteti ndërkombëtar po përballet me çështje të rëndësishme ekonomike dhe sigurie, të cilat adresohen më mirë përmes një fronti të bashkuar të vendeve të G7. Anëtarët vazhdojnë të bëjnë progres në emër të qytetarëve tanë, por njohin se ky bashkëpunim është vënë nën rrezik nga veprimet tregtare kundër anëtarëve të tjerë”, u shpreh ministri i Financave i Kanadasë, Bill Morneau.
Aleatët e SHBA protestojnë kundër vendimit të presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa mbi çelikun dhe aluminin për mallrat nga Bashkimi Europian, Kanadaja dhe Meksika. Kjo ka shkaktuar një prej krizave më të mëdha brenda grupit që prej formimit në vitin 1970.
Javën e ardhshme në Charlevoix në Kuebek të Kanadasë, së bashku me Trump pritet të marrin pjesë edhe liderët e Kanadasë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Japonisë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.