Gabriel për shpenzimet në mbrojtje: Trajtimi i varfërisë kontribuon gjithashtu në paqe
Europa duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtje, megjithatë trajtimi i varfërisë kontribuon gjithashtu në paqen botërore, thotë Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, duke u përgjigjur ndaj thirrjeve të SHBA për më shumë shpenzime për mbrojtje në Europë.
Gjermania është ekonomia më e madhe e Europës, por shpenzon aktualisht vetëm 1.2% të Produktit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, shifër poshtë objektivit të NATO prej 2%.
Ai pranoi se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për shpenzimet ushtarake, por nuk mund të reduktohen politikat për sigurinë dhe paqen.
“Kjo do të na pengojë të trajtojmë çështje si ndryshimi klimatik apo varfëria”, tha Sigmar Gabriel gjatë përfundimit të një takimi të ministrave të jashtëm të G20-ës.
Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha se Gjermania po përpiqet të nxisë shpenzimet në mbrojtje, por do të duhet kohë që të arrihet 2%-shi objektiv.
Gabriel tha se Gjermania do të duhet të shpenzojë rreth 25 miliardë euro më shumë në vit për të arritur objektivin. Megjithatë ai shtoi se Gjermania ka investuar 30-40 miliardë për të integruar 1 milionë refugjatë, të cilët janë zhvendosur nga ndërhyrjet e dështurara ushtarake.
“Kjo tregon se përqendrimi në ndërhyrjet ushtarake kërkon financim që mund të shpenzohet më mirë për të luftuar urinë dhe varfërinë”, tha Gabriel.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.