Galaxy Z Flip dhe linja S20, Samsung pozicionohet në krye të gjeneratës së re të ‘smartphone’, përfshin 5G
Samsung u përpoq të pozicionohet në krye të gjeneratës së re të smartphonave dhe përpara rivalit Apple, me një serë pajisjesh të palosshme dhe me kapacitet 5G. Gjiganti korean prezantoi telefonin e palosshëm Galaxy Z Flip dhe linjën e re Galaxy S20.
Modeli Z Flip shënon përpjekjen e dytë të kompanisë për një telefon të palosshëm, pas dështimit me ekranin në vitin e kaluar dhe çmimin tejet të lartë që largoi konsumatorët. Vitin e kaluar, telefoni i palosshëm përfshinte një pajisje me përmasë smartphoni që hapej dhe krijonte një formë tablete, ndërsa Z Flip, funksionon si një smartphone tradicional kur hapet dhe kthehet në një katror të vogël kur paloset.
Kompania deklaroi se ekrani mund të paloset mbi 200,000 herë. Z Flip do të kushtojë 1,380 dollarë, që është çmimi i lartë për një smartphone, por shumë më i ulët se telefoni i palosshëm i vitit të kaluar. Galaxy S20, linja kryesore e fundit i Samsung, përmban kamera më të mirë dhe kapacitet për rrjetet 5G në të 3 modelet. Modeli bazë S20 do të nisë nga 999 dollarë, ndërsa S20 Ultra, nis në 1,400 dollarë. Versioni më i shtrenjtë përfshin karakteristika si kamerë 108 megapixel me kapacitet zmadhimi deri në 100x dhe me katër lente si dhe një bateri me kapacitet mbi 5000mAh.
Samsung pati një vit të trazuar në 2019-ën, ku u zëvendësua ekzekutivi i njësisë së telefonave dhe humbi kurorën si prodhuesi më i madh i smartphonave ndaj Apple. Samsung u përpoq të shfaq përfitimet e 5G, duke integruar software e telefonit me shërbimin e Netflix dhe shërbimin e lojërave të Xbox.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.