Gara e startup-eve shqiptare, përzgjidhet fituesi i “Uplift Albania” pas 6 javësh trajnim intensiv
Akseleratori i parë i start-up-eve në Shqipëri, “Uplift Albania”, organizoi mbrëmjen finale të programit 6 javor në ambientet e Liceut Artistik “Jordan Misja”. Eventi mblodhi më shumë se 200 të ftuar, mes të cilëve ishte i pranishëm Kryetari i Bashkisë, z.Erion Veliaj, Ministri i Shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes, z.Eduart Shalsi, ish-zv/kryeministri, Niko Peleshi dhe dhjetëra investitorë dhe sipërmarrës.
“Është një ndjesi shumë e bukur tani sepse më duket sikur më ka rënë një peshë shumë e madhe. Nuk e dija realisht peshën në të cilën isha futur, megjithatë ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme” u shpreh Kushtrim Shala, ICTS Media.
7 startup-et e mbërritura në Finale ishin nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të Rajonit, prej të cilave çmimin e parë e fitoi Ipervox, një startup i cili ka tërhequr vëmendjen e kompanive të mëdha si Amazon, me krijimin e aplikacioneve audio që ofrojnë asistencë virtuale.
“Ishte një eksperiencë goxha e mirë. Dua të them se si emigrant që ka ikur i vogël është një kënaqësi shumë e madhe për mua të filloj këtë rrugëtim nga Shqipëria. Është diçka historike për ne” theksoi Juxhin Raxhima, “Ipervox”.
Kryetari i Bashkisë, z.Erion Veliaj foli për shembullin që startup-et sjellin në shoqëri, si dhe përmendi skemat e financimit që Bashkia ofron.
“Është një pakicë shumë kreative që bën gjëra konkrete dhe ky lloj grupi që mbledh ICTS është një grup djemsh dhe vajzash që punojnë gjithë kohës për ide inovatore, si këto ide mund të testohen si produkte, si këto produkte mund të marketohen dhe të shiten dhe pastaj të krijohet një mirëqenie ekonomike që punëson njerëz, paguan taksa e kështu me radhë.
Ne kemi disa skema financimi në Bashki. Disa targetojnë të rinjtë, disa targetojnë bizneset që menaxhohen dhe drejtohen nga gratë dhe ndërkohë kemi vetë një “mini-bankë” le të themi, Crimson Finance Fund, ku Bashkia është aksionere 25%, bashkë me qeverinë norvegjeze, bashkë me fondin Shqiptaro- Amerikan, për ata që duan të shkojnë përtej fazës së startup-it “ shtoi z.Veliaj.
Pas 40 minutash prezantime dhe pyetje përgjigje nga juria e investitorëve, “Demo-Day” u mbyll me një sërë surprizash për startup-et pjesëmarrëse. Pas shpalljes së çmimit të parë, “Game On”, “PleXusvr” dhe “Amargi” u përzgjodhën nga EU for Innovation për të ndjekur startup-e të avancuara në Berlin në një program 2 javor, ndërsa “Amargi ” dhe “Ipervox” u përzgjodhën në samitin veror në Lisbonë nga Tegeria.
Uplift Albania, programi i akselerimit në mbështetje të ekosistemit të inovacionit filloi në tetor 2019 dhe mblodhi më shumë se 50 aplikime nga të gjitha vendet e rajonit. 20 prej tyre u zgjodhën për Boot-Camp Selection dhe vetëm 10 arritën të kalonin në programin 6-javor të akselerimit, ku patën dhjetëra mentorë të suksesshëm të cilët I trajnuan përgjatë gjithë kësaj periudhe, deri në momentin final.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.