Gara për aeroportin e Vlorës – COVID-19 shtyu procedurat. Premtohet zhbllokimi në “kulmin” e pandemisë
Deklarata e kryeministrit Edi Rama, se javën që vjen do të zhbllokohet gara ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te realizimi i kësaj vepre aeroportuale. Por, çfarë ka ndodhur përgjatë një viti me procedurat tenderuese? Zyrtarisht, gara u hap në datën 19 dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që gara për kompanitë e interesuara do të duhej të qëndronte e hapur deri në 13 mars.
Sipas afateve të prezantuara parashikohej që deri në 31 maj të kishin nisur punimet, por situata e krijuar nga përhapja e COVID-19 detyroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që fillimisht të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave deri në datën 30 mars, ndërsa në një shtyrje të dytë afati i ri u vendos data 21 prill. Por, duket se impakti i pandemisë ishte edhe më i lartë në këtë garë ndërkombëtare, çka bëri që zyrtarisht, në datën 31 mars, gara të pezullohej pa përcaktuar një afat për rihapjen e saj. Në fakt, pas qershorit situata e krijuar nga COVID-19 njohu një përmirësim të ndjeshëm në të gjithë botën, por gara për këtë vepër aeroportuale nuk u rihap.
Ndërkohë që, deklarata e kryeministrit Rama për zhbllokimin e saj vjen në një kohë kur rastet e të prekurve nga virusi vetëm po rriten dhe shumë vende po aplikojnë masa kufizuese. Aeroporti i Vlorës është një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, përmes të cilit qeveria synon të rrëzojë monopolin e aeroportit të Rinasit, duke sjellë dhe një ulje të çmimit të biletave. Ndërtimi parashikohet të kryhet përmes një partneritetit publik-privat, ku fillimisht kompania fituese do të duhet të kryejë investimin , ndërsa do të ketë të drejtën e operimit për një periudhë 35-vjeçare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.