Gati gara për trenin Tiranë-Durrës/ Projekti 90 mln euro, 8 kompani kanë kaluar fazën e parakualifikimit
Shumë shpejt Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapë garën për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të linjës së re drejt Rinasit.
Burime konfidenciale pranë këtij dikasteri, thanë për TV SCAN se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si financuese e investimit, ka sjellë vërejtjet finale, duke i hapur rrugën tenderimit e më pas nënshkrimit të kontratës.
Të njëjtat burime, shtuan se pjesë e garës tenderuese do të jenë vetëm kompanitë që kanë kaluar fazën e parakualifikimit të shpallur në prill në vitit të kaluar. Gjatë kësaj faze ishin rreth 60 kompani që shfaqën interes, por 8 prej tyre kanë kaluar këtë fazë, duke u ftuar të tenderojnë për aktivitetin e prokurimit.
Sipas projektit, linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h. Ndërkohë që, linja e re që synohet të shtohet, fillon në km e 27-të nga Durrësi dhe përfundon me një terminal pasagjerësh në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Pavarësisht se nuk është vendosur ende, çmimi i biletës pritet të kushtojë nga 1-1.2 euro. Kosto totale e projektit kap vlerën e 90 mln euro, nga të cilat 16 milion euro do të financohen nga buxheti i shtetit, 36 mln euro hua e BERZH dhe 35.4 mln euro granti i Bashkimit Evropian.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.