Gati për sezonin turistik, Rama-Çela: Remonte në bregdet, 830 punonjës në terren
Kryeministri, Edi Rama, dhe Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, inspektuan nga afër punimet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në zonën e Tiranës. Kreu i OSHEE, Ardian Çela, u shpreh se po punohet intensivisht në gjithë vendin, me fokus sidomos bregdetin.
“Kjo është një nga linjat kryesore për qytetin e Tiranës. Është linja e ‘84-s. Po e bëjmë me fuqinë punëtore të OSHEE. Bën pjesë në programin e remonteve, që kap vlerën e 2 miliardë lekë të të ardhurave të kompanisë për të gjithë vendin. Në gjithë territorin e Shqipërisë janë 830 punonjës që po bëjnë remonte. Aktualisht jemi duke bërë remontet e zonës bregdetare, në mënyrë që me fillimin e sezonit turistik të jemi të gatshëm. Për pjesën tjetër të vendit brenda tetorit t’i kemi përfunduar këto remonte. Në sajë të këtyre remonteve, ne kemi ulur me 50% numrin e defekteve dhe me 80% është ulur numri i ndërprerjeve,” – informoi mbi rezultatet e deritanishme Ardian Çela.
Kreu i qeverisë, vuri theksin tek mbrojtja e konsumatorit përmes politikave si dhe te rritja e investimeve në rrjet.
“Për familjet që janë në ndihmë ekonomike, ne bëjmë një kompensim të plotë të të gjithë diferencës pas heqjes së fashës mbrojtëse. Është 19 milionë dollarë në vit nga buxheti i shtetit që shkon për këto familje dhe për gjithë kategoritë e tjera, të cilat prezumohet të mbroheshin nga fasha 300 k/W. Sot, askush nga ata nuk ndjen rritje të çmimit të energjisë, ndërkohë për fasha të tjera, çmimi i energjisë është ulur. Janë bërë zerime kamat vonesash masivisht, duke kontribuar të gjithë sëbashku që të bëhen të gjithë investime të mëdha dhe të fillojë ripërtëritja e një rrjeti shumë të vjetër. Për ne është shumë e rëndësishme që kompania të vazhdojë të përmirësojë standardet dhe të gjitha nivelet e trajtimit të punonjësve në funksion të përmirësimit të cilësisë dhe të vazhdojë të transformohet nga një ushtri militantësh që thjesht ushqeheshin, duke mos ofruar dot kompania asnjë lloj shërbimi prej kompanie, në një kompani moderne që duhet të jetë akoma më shumë një nga krenaritë e vendit tonë,” deklaroi Rama.
Deklaratat u bënë gjatë inspektimit të linjës Lanabregas-Nënstacioni i Pallatit të Kongreseve, një investimi me vlerë 2 miliardë lekë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.